Në Skoci i bëjnë jehonë përballjes me Shqipërinë. Titujt interesantë të mediave në Glasgow

Shorti i Ligës së Kombeve që vendosi Shqipërinë me Skocinë në të njëjtin grup ka krijuar një jehonë të madhe deri në kufijtë veriorë të Europës, aty ku shtrihet një nga shtetet më të vjetra të kontinentit.

Në Skoci, futbolli është sporti më popullor dhe Kombëtarja një simbol bashkimi për të gjithë kombin dhe padyshim që shorti i hedhur në selinë e UEFA-s ka zënë një hapësirë të madhe në mediat vendase që ndalen gjatë edhe te Shqipëria.

Një prej gazetave më të mëdha me qendër në Glasgow, “Herald Scotland” përmend faktin se kjo është hera e parë në gjithë historinë e futbollit të vendit të tyre që Skocia do të ndeshet me Kombëtaren kuqezi dhe ky fakt krijon një interes të veçantë.

Një kundërshtar që skocezët nuk e njohin pothuajse fare, ndërsa me Izraelin janë ndeshur një herë të vetme në vitin 1986.

E përditshmja tjetër “Daily Record” veçon trajnerin Christian Panucci, i cili vazhdon ende të ngjallë kujtime të hidhura nga ato anë.

“Panucci që është trajneri i Shqipërisë, është njeriu që vrau ëndrrën e Skocisë në eliminatoret e Euro 2008 me një fitore të minutës së fundit që Italia regjistroi në Hampden”, shkruan kjo gazetë që shton gjithashtu se ashtu si Skocia edhe Izraeli momentalisht është një skuadër pa trajner dhe ky është një rekord më vete në këtë aspekt.

“Daily Record” e mbyll shkrimin duke theksuar se Shqipëria ishte pjesëmarrëse në Euro 2016, ndërsa Izraeli nuk ka arritur të kualifikohet asnjëherë në një eveniment madhor.