Gazmend Bardhi në Syri.net: Ja pse Rama synon të kapë KLP dhe KLGJ përmes njerëzve me dosje...

Gazmend Bardhi, ish-ministër i Drejtësisë, tha në studion e Syri.net se ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të dënuarit për një vepër penale, apo të angazhuarit në politikë, nuk mund të jenë pjesë e organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Bardhi tha se deri më tani sistemi i drejtësisë ka vuajtur nga këto kategori, ndaj dhe sot nuk mund të vijohet me të njëjtat fenomene. Sipas Bardhit, Edi Rama me kandidaturat e përzgjedhura po tregon se nuk e do reformën në drejtësi, por synon kapjen e saj, përmes personave që mund t’i bëjë presione.

“Kjo kategori personash është zgjedhur nga Kryeministri për ti bërë nesër presion, sepse Rama synon të ketë nën kontroll KLP dhe KLGJ dhe përmes tyre të ketë nën kontroll SPAK, BKH dhe Gjykatën speciale anti-korrupsion”, tha Bardhi. Sipas tij, Rama ka merakun e të gjitha shkeljeve ligjore dhe skandaleve ku është i përfshirë jo vetëm si Kryeministër, por edhe si Kryebashkiak i Tiranës apo si ministër i Kulturës.

“Nëse ministri i Brendshëm i një vendi akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminale apo ka lehtësuar veprimtarinë e tyre, atëherë është e paimagjinueshme që Edi Rama si Kryeministër nuk ka qenë në dijeni të një fenomeni të tillë”, tha Bardhi.

Sipas tij, edhe kapja e Kryeprokurores së përkohshme, pikërisht synon mbylljen apo shmangien e hetimeve për çështjet e hapura. “Një politikan i moralshëm nuk mund të promovojë ato që kanë kryer krime të rënda, si për trafik droge, përdhunim, vrasje”, tha Bardhi.