Dritëhijet e një procesi konkurrimi/ Si po katapultohet Ardi Veliu në postin e drejtorit

Gjatë së mërkurës, në Akademinë e Policisë, në Sauk u mbajt konkursi për gradën “Drejtues i parë”. Në konkurrim morën pjesë 28 punonjës policie të cilët mbanin gradën “Drejtues”.

Hapja e këtij procesi konkurrimi duket thjesht një formalitet për të pajisur me gradë drejtorin aktual të policisë Tiranë, Ardi Veliu në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në Policinë e Shtetit ka mjaftueshëm efektivë që e mbajnë gradën “Drejtues i parë”, çka do të thotë se argumenti i 5 vendeve të lira nuk qëndron.

Përpos kësaj, edhe procesi i marrjes së gradës fliste qartë për fitues të paracaktuar. Kandidatët u njoftuan vetëm para 2 ditësh për konkursin.

Dhe patën vetëm 2 ditë kohë për tu parapërgatitur për testimin me shkrim dhe me gojë. Fazën e parë të konkurrimit e kaluan 5 punonjës policie me pikë maksimale ndërkohë që kandidatët e tjerë kishin diferencë pikësh të theksuar.

Ardi Veliu, aktualisht mban postin e Drejtorit të Policisë Vendore Tiranë. Më herët ka qenë shef komisariati në Durrës, zv/ drejtor i Policisë Tiranë, drejtor në Akademi, Drejtor i Policisë Rrugore etj. Prej tetorit të vitit 2013 Veliu mban gradën “Drejtues”. /Gsh.al/