Kosovë, Haradinaj propozon krijimin e ligjeve për sigurinë kibernetike

Edhe Kosova si shtet është e rrezikuar nga krimet kibernetike, dhe për këtë duhet të krijohet vegla ligjore për të krijuar më shumë siguri kibernetike me qëllim që mos të ndodhin dëme të pariparueshme.

Kështu u tha në konferencën e tretë me temën "Siguria kibernetike dhe privatësi", e mbështetur nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrjes.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se edhe Kosova është e rrezikuar nga krimi kibernetik që është prezent edhe në jetën private.

Haradinaj pranoi se Kosova është vonuar sa i përket sigurisë kibernetike marr parasysh përparësitë e agresivitetit që ka mënyra e komunikimit në tërësi.

“Mund të them lirisht që na ka zënë të papërgatitur”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se siguria kibernetike dhe privatësia janë sfidë që duhet të tejkalohet dhe për këtë arsye kanë krijuar edhe Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me qëllim të përkrahjes së këtij sektori.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrëjes, Besim Beqaj tha se  zhvillimi i Teknologjisë të re duhet te ketë edhe një rregullativë shtetërore. Ai tha se siguria kibernetike është përgjegjësi  e institucioneve që janë përgjegjëse për sigurinë tonë dhe një bashkëpunim i thellë do e ndihmonte parandalimin e kërcënimeve.

Kurse, Ambasadori i Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie  tha se SHBA do të vazhdojë mbështetjen për sigurinë  kibernetike në Kosovë.

Delawie kërkoi nga shteti i Kosovës që të krijojë ligje dhe rregullativa që sigurojnë siguri kibernetike, derisa ka përgëzuar institucionet e sigurisë në arrestimin e kriminelëve kibernetikë ndër vite.