VIDEO/ I moshuari humb gjithçka pasi i digjet shtëpia, pamja e tij po përlot botën

Videoja e një të moshuari që ka humbur shtëpinë nga zjarri po bën xhiron e rrjetit. Momenti prekës kur burri mban macen e tij në krahë, të vetmen gjë që i ka mbetur, ka bërë të preken zemrat e miliona njerëzve.

Ali Mese 83-vjeç, nga Provinca Ordu në Turqi ishte duke u përpjekur të ndizte sobën e drurit me gaz, kur shtëpia mori flakë dhe u dogj brenda pak minutave. Pensionisti i cili dridhet nga i ftohti, në mes të borës, por gjen ngushëllim tek macja e tij e vogël.

Ndonëse fqinjët e plakut lajmëruan zjarrfikëset dhe ata arritën të vinin nën kontroll flakët, nga shtëpia prej druri e të moshuarit nuk ka mbetur më asgjë.

Në video shihet plaku i cili nuk i mban dot lotët kur shikon rrënojat e shtëpisë së tij. Ai kishte macen dhe disa pula të cilat nuk mundën të mbijetonin.

I moshuari u shoqërua në spital për të marrë trajtim mbi djegiet e vogla që kishte pësuar, ndërsa rrjeti ka shpërthyer në kërkesa për të ndihmuar plakun e gjorë i cili vuan në mjerim.