Britania ngre njësinë anti 'Fake news’

Për të penguar ndërhyrjet e jashtme në politikën e brendshme, qeveria në Mbretërinë e Bashkuar ka ngritur një strukturë të re, e cila do të ketë si detyrë mbikëqyrjen e komunikimit elektronik për parandalimin e të ashtuquajturave “fake news”.

Qeveria laburiste në Britani ka njoftuar ngritjen e një njësie të posaçme për t’i bërë ballë përhapjes së lajmeve të rreme, të njohura si “fake news”.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i ekzekutivit, sipas të cilit, njësia e re do të ketë për detyrë mbikëqyrjen e komunikimeve elektronike në kuadër të mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Konkretisht, grupi do të përpiqet të frenojë fushatën e dezinformimit që vjen nga vende të tjera, ose subjekte që nuk u intereson stabiliteti i Britanisë.

Sipas “The Guardian”, nisma është promovuar nga ministri i Mbrojtjes, Gavin Williamson, por ende nuk është e qartë strategjia që do të ndiqet për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike. Gazeta thotë se do të jetë pikërisht titullari i dikasterit të Mbrojtjes që do të prezantojë në Parlament metodologjinë e punës së strukturës së re.

Ndërkohë, një komision i Dhomave të Parlamentit ka nisur tashmë një hetim mbi ato që konsiderohen “ndërhyrjet e huaja” në politikën e Mbretërisë së Bashkuar.