A janë bërë Vllahutin e Lu palë me Ramën…?

Ky shënim vjen pas reagimit të Lu në Zërin e Amerikës.

Në Shqipëri, shumica nuk ka asnjë dyshim, se rolet e Vllahutin e Lu janë kompromentuar nga Rama ose ata po keqpërdoren prej tij. Të gjithë shkeljet e Kushtetutës, të gjithë zaptimet e institucioneve kushtetuese, të gjithë dukuritë negative të keqqeverisjes së tij, Rama i trajton si mbështetje nga BE e SHBA, të përfaqësuara përkatësisht nga Vllahutin e Lu.

Shpesh grindjet mes opozitës e maxhorancës janë ashpërsuar edhe sepse Rama sillet me arrogancë duke iu drejtuar opozitës me cinizëm se “përplasjen nuk e keni me mua por me SHBA e BE” ndërkohë që as Vllahutin dhe as Lu nuk e kanë ndaluar asnjëherë Ramën të keqpërdorë SHBA e BE, të mos përdorë emrat e tyre, duke krijuar përshtypjen se ata janë të kompromentuar nga Rama apo të keqpërdorur prej tij me mirëkuptimin e tyre.

Në korridoret e PS ka kohë që flitet se “Rama është mjeshtër në bërjen për vete të ndërkombëtarëve” madje disa që janë më naivë e shprehin këtë gjë duke thënë se “Rama i ka futur në thes jo vetëm Vllahutin e Lu, por po punon të fusë në xhep edhe atë që do të zëvendësojë Vllahutin…”. Pra edhe shumë nga socialistët janë të bindur se Rama gëzon mbështetjen e  Vllahutin e Lu, gjë që edhe për ta duket paksa e çuditshme se sjellje e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Disa të tjerë i shpjegojnë këto sjellje, duke thënë se “Vllahutin e Lu nuk janë të kompromentuar nga Rama, por ata janë njerëz të Sorosit, që kanë ardhur në Tiranë për të mbështetur Ramën..”

Shumë nga sjelljet e Vllahutin e Lu kanë lënë vend për të përforcuar perceptimin se Vllahutin e Lu mbështesin Ramën, sepse Vllahutin e Lu:

  • nuk thanë asnjë fjalë për kanabisin që e mbyti vendin;
  • nuk thanë asnjë fjalë për implikimin e policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit;
  • heshtën për implikimin e bashkëpunimin e Tahirit me familjen mafioze të Habilajve, madje e quajtën atë “çështje të brendshme të PS”;
  • mbyllën gojën kur grupi i PS refuzoi ti hiqte imunitetin Tahirit;
  • heshtën për implikimin e vëllait të Ramës në fabrikën e Xibrakës;
  • nuk thanë një gjysmë fjale për “pasurinë 200 milion euro të Ramës” që doli nga një raport konfidencial i Prezencës së OSBE në Tiranë;
  • mbyllën sytë e gojën kur u largua Bankers, një kompani amerikane;
  • heshtën kur nga aeroporti i Rinasit u larguan amerikanët e gjermanët;
  • bënë të paditurin kur erdhi një amerikan i dyshimtë që hodhi në rrugë naftëtarët e Ballshit e Fierit;
  • u bënë palë me Ramën kur u dhunua kushtetuta për emërimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme;
  • mbështetën Ramën për të vënë nën kontroll KLGJ e KLP;
  • e shumë e shumë raste të tjera pafund…

Por të gjithë këto s’janë asgjë nëse nuk do ti bashkëngjitej atyre arroganca e Ramës. Arrogancë që siç prononcohet vetë Rama, buron nga mbështetja që ka marrë në çdo rast nga Vllahutin e Lu, madje edhe në ato raste kur duket sheshit se Rama ka gabuar. Arrogancë e sponsorizuar nga Vllahutin e Lu të cilën Rama, sa herë nuk ka përgjigje përballë opozitës, e shpreh duke i thënë opozitës, se:

  • ballafaqimin s’e keni me mua, por me SHBA e BE…
  • konfliktin e keni me SHBA e BE se mua më mbështet BE dhe SHBA…
  • nëse pretendoni se është shkelur Kushtetuta për Prokuroren e Përkohshme, pyesni BE e SHBA…
  • E tjerë e tjerë…

Përfundimisht

  • Vllahutin e Lu perceptohen nga shqiptarët të kompromentuar nga Rama ose të keqpërdorur prej tij…
  • Vllahutin e Lu kanë ngjallur me sjelljet e tyre, te një pjesë e madhe e qytetarëve ndjenja antieuropiane dhe antiamerikane ndërkohë që realisht shqiptarët masivisht e duan edhe BE edhe SHBA….

Lu e ka të vështirë për të mos thënë të pamundur të ndryshojë perceptimin e qytetarëve me justifikime te  Zëri i Amerikës. Ka vetëm një mënyrë që shqiptarët të ndalojnë të merren me ndërkombëtarët, ne realitet vetëm me Vllahutin e Lu, të ndërpresin mbështetjen vend e pa vend ndaj Ramës:

  • duke u bërë palë me Ramën në debatet mes maxhorancës e opozitës;
  • duke mbështetur Ramën dhe goditur opozitën;
  • duke justifikuar të gjithë shkeljet e Kushtetutës të kryera nga Rama;
  • duke keqpërdorur Opdat e Euralius në mbështetje të Rama për shkeljet e Kushtetutës;
  • duke i dhënë Ramës mbështetjen të vendosë nën kontroll drejtësinë.

Në 27 janar qytetarët do të jenë masivisht në shesh edhe për të gjitha këto arsye, pra për ti dhënë një mesazh edhe Vllahutin e Lu të mos vazhdojnë të mbështesin Ramën në marrëzitë e tij. Të mos vendosen mes Ramës e opozitës, mes Ramës e qytetarëve, duke mbështetur Ramën.