Berisha: Ja dosjet që përballet Rama dhe pse e futi në batak reformën në drejtësi...

Ish-Kryeministri Sali Berisha u shpreh mbrëmjen e sotme se Edi Rama përballet me dosje të mëdha si ajo e Xibrakës, CEZ, konçensioneve apo plehrave.

I ftuar në studion e Oranews, Berisha tha se “çdo konçension,  nëse ka të dhëna se janë shkelur rregullat dhe ka një korrupsion ndërkombëtar, anullohet. Rama në rastin e CEZ la arbitrin ndërkombëtar dhe preferoi marrëveshjen. Nëse Rama do të shkonte në Arbitrazh, Shqipëria do të merrte 620 milionë dollarë nga CEZ dhe jo ti jepnim CEZ 120 milionë”.

Referuar reformës në drejtësi, Berisha u shpreh se tashmë masakt kanë rënë dhe më në fund shqiptarët patën mundësinë që të shikojnë se me këtë reformë Edi Rama ka vetëm një qëllim, të bëhet Kryegjykatës dhe Kryeprokuror.  Sipas tij, pasi u zgjodh Kryeprokuror, Rama me nenin që ka propozuar për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, bëhet edhe Kryegjykatës. Berisha tha se sipas këtij neni do të jetë Edi Rama, që do të përcaktojë se cili nga zyrtarët e Shqipërisë do të përballet me drejtësinë.  

Referuar kandidaturave për KLP dhe KLGJ, Berisha theksoi se njëri është ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, tjetri është ministër i PS-së dhe një tjetër i dënuar dy herë,  pra jemi në një batak dhe këtu e futi Edi Rama.