Protesta kundër gërmimeve për eshtrat e ushtarëve grekë, policia nis procedimet penale

Përveç katër të arrestuarve në Fier, edhe dy protestues në Tepelenë janë proceduar penalisht nga policia.

Zyrtarisht, policia njofton se një ditë më parë u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për: E.J., 56 vjeç  banues në Tiranë dhe M.K, 68 vjeç, banues në Golem.

Sipas policisë, në vendin e quajtur “Fusha e Dragotit”, ata morën pjesë në protestën pa leje, ku punohej për zhvarrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës Italo-Greke.

Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Aktivistët thanë dje se me gërmimet, po shkelet ligji i reprocitetit ndërmjet dy vendeve, pasi grekët vijnë me pretendimin se tokat në jug janë pronë e tyre. Në varret ku po gërmohet aktivistët thonë se nuk ka asnjë eshtër të ushtarëve grekë, dhe se e gjitha bëhet për pretendime territoriale. Dje janë shënuar edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.