Pasi i dhunoi, policia arreston 4 banorë të Verrisë se protestuan kundër impiantit të djegies së plehrave

Pasi i dhunoi një ditë më parë, sot kanë vendosur ti arrestojnë.

Kështu ka vepruar Policia e Fierit me 4 banorë të fshatit Verri, të cilët një ditë më parë dolën në protestë kundër nisjes së punimeve për ndërtimin e impiantit të djegies së plehrave në zonën  e tyre.

Në pranga janë vënë Aleksandër Bita, Eridjon Jani Bledion Bita dhe Zyluftar Delibashi.

Ky i fundit një ditë më parë u dhunua nga policia, ndërsa sot është vënë në pranga. Policia thotë se arrestimet janë bërë pasi ata persona kanë marrë pjesë në një protestë të paligjshme.

 Policia duket se ka bërë arrestimet si presion për banorët që të mos dalin më në protesta.

Opozita ka akuzuar ministrin e Financave, Arben Ahmetaj se qëndron pas ndërtimit të impiantit të plehrave në këtë zonë.

Njoftimi i policisë për arrestimet:

Nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

1. Aleksandër Bita, 52 vjeç.

2. Eridjon Janji, 32 vjeç.

3. Bledjon Bita, 43 vjeç.

4. Zylyftar Delibashi, 67 vjeç.

Arrestim i këtyre shtetasve u bë pasi në datën 22.01.2017, në orën 14:00, në kufirin ndarës midis fshatrave Verri dhe Kallm i Madh, kanë marrë pjesë në një protestë të paligjshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit publik dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik’,’Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme’, dhe ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 236, 262, 293 e 25 të Kodit Penal.