Kriza greke, Eurogrupi ndan këstin e radhës, edhe 6.7 miliardë euro për Athinën

 

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë dhënë dritën jeshile për disbursimin e këstit të kredisë për Greqinë, në takimin e tyre që përfundoi mbrëmjen e të hënës.

Presidenti i ri i Eurogrupit, Mario Centeno, deklaroi se ministrat përshëndetën plotësimin e “pothuajse gjithë parakushteve” dhe kanë autorizuar grupin e ekspertëve të verifikojë përmbushjen e aksioneve që duhet të realizohen “brenda javëve të ardhshme”.

Ky vendim “pasqyron përpjekjet kolosale dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet qeverisë greke dhe institucioneve”, nënvizoi Centeno në konferencën për shtyp.

Presidenti i Eurogrupit sqaroi se vlera e përgjithshme e këstit të kredisë do të jetë 6,7 miliardë euro. Kësti do të disbursohet në dy duar, që nga mesi i shkurtit.

Gati gjysma e vlerës do të përdoret për pagesa të borxhit të jashtëm, një pjesë për shlyerjen e detyrimeve të shtetit ndaj sektorit privat dhe 1,9 miliardë për krijimin e një fondi që do të nevojitet për nevojat e vendit pas daljes nga programi i shpëtimit që parashikohet për në gusht 2018.

Presidenti i Eurogrupit njoftoi gjithashtu se fillojnë bisedimet teknike për reduktimin e borxhit grek. Por kreu i eurozonës theksoi nevojën e ruajtjes së suficiteve primare dhe vazhdimin e reformave, me qëllim që Greqia të rifitojë besimin e investitorëve.

Komisioneri europian për çështjet financiare, Pierre Moscovici nënvizoi se “përpjekjet e konsiderueshme” të autoriteteve greke “u vlerësuan nga të gjithë, madje edhe nga ata që ishin skeptikë në të kaluarën”, ndërsa vuri në dukje se ka një “ndryshim impresionues të klimës” dhe “një progres inkurajues”.

Ministri grek i Financave, Euklidis Tsakalotos tha se ishte “një takim shumë i mirë për Greqinë. Iu dha mbështetja politike marrëveshjes për finalizimin e inspektimit dhe mbeten vetëm disa çështje teknike që do të duhet të zgjidhen”.

Pas tetë vitesh krize të thellë, Greqia ndodhet në prag të kthimit në normalitet, me përfundimin e programit të dytë të shpëtimit, që bazohet në një kredi prej 86 miliardë eurosh.