Turqia kërcënon SHBA-në: ‘Mos furnizo me armë milicinë kurde’

Turqia i ka kërkuar SHBA të ndalojë mbështetjen e grupi kurde YPG në Siri në luftimet që po zhvillon me forcat tokësore turke.

Një zëdhënës i presidentit Rexhep Tajip Erdogan i tha BBC se luftëtarët kurdë po përdorin armë të furnizuara nga SHBA kundër trupave turke duke u përpjekur t'i largonin ata nga rajoni Afrin.

 

Turqia e konsideron milicinë një grup terrorist dhe një zgjatje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e cila kërkon autonomi kurde brenda Turqisë.

Ndërkohë nga ana tjetër YPG mohoi çdo lidhje të drejtpërdrejtë.
 
Milicia, e cila kontrollon pjesën më të madhe të Sirisë verilindore, ka qenë një aleat i rëndësishëm i SHBA në luftën kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik atje.
 
Ankara po kërkon tani një fund të aleancës, duke argumentuar se lufta kundër ISIS është e mbyllur.
 
"Nuk mund ta tolerojmë PKK-në që të krijojë një strukturë shtetërore përgjatë kufirit tonë në Siri", paralajmëroi zëdhënësi presidencial Ibrahim Kalin.
 
Mijëra civilë thuhet se po përpiqen të ikin nga Afrin dhe aktivistët sirianë thonë se më shumë se 70 vetë kanë vdekur që kur filloi përpjekja e Turqisë të shtunën.


Kujtojmë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi mbi ofensivën në rritje në një takim të hënën, por nuk e dënoi atë.