Japonia stërvit banorët, simulon për herë të parë një sulm me raketë 'koreanoveriore'

Qindra banorë të Tokios morën pjesë sot në manovra evakuimi në rast të lëshimit të raketave, simulimi i parë i një sulmi ushtarak që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në fillim të mëngjesit, ndërkohë që binte dëborë në kryeqytetin japonez, papritur bien sirenat e alarmit dhe nga autopalantët thuhet se “kemi mësuar që ka ndodhur lëshimi i një rakete. Strehouni me qetësi në një godinë ose nëntokë”.

Disa minuta më vonë, një mesazh i dytë publikohet se “Raketa ka kaluar. Me shumë mundësi kaloi mbi rajonin e Kanto-s (Tokio dhe periferia e tij) në drejtim të oqenit Paqësor”.

Japonezët janë mësuar me manovrat që i përgatisin të mbrohen në rast të një tërmenti, që praktikohen rregullisht në shkollat dhe vendet e punës.

Por, kjo ishte hera e parë që simulohej një sulm me raketë në Tokio, pasi ishte zhvilluar në vende të tjera në Japoni vitin e kaluar./ atsh