Sot nis kërkimi i eshtrave të ushtarëve greke në Tepelenë

Sot aktivizohet zyrtarisht marrëveshja e arritur midis dy qeverive për zhvarrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia zyrtare greke, ANA-MPA.

Procesi parashikon lokalizimin, zhvarrimin, identifikimin dhe pastaj varrimin e tyre në dy varreza, në Bularat dhe Këlcyrë, sipas vendimit të qeverisë shqiptare në 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas agjencisë greke të lajmeve, punimet për zhvarrimin do të fillojnë në orën 11:00 në Dragot të Tepelenës. Nën mbikqyrjen e komisionit dypalësh do të gërmohet në vendet ku sipas hartave italiane të kohës, por edhe dëshmive të banorëve, janë varrosur  ushtarë grekë që ranë gjatë betejave me italianët.