Moti i keq, pezullohet lundrimi i anijeve të peshkimit në Durrës

Moti i keq shoqëruar me erëra dhe det me dallgë të forta ka penguar punën në sektorin e peshkimit në Durrës.

Prej afro pesë ditësh, Flota e Peshkimit nuk ka dalë në det për të ushtruar aktivitetin e përditshëm, atë të gjuetisë.

Ka qenë Dispeçeria, që ka ndaluar daljen e peshkarexhave në det, për shkak se forca e dallgëve arrin deri 6 ballë.

Në mënyrë të përkohshme është pezulluar puna edhe në kalatën e përpunimit si dhe lundrimi i anijeve tregtare të tonazhit të ulët.

Tragetet e linjave nuk kanë hasur probleme e ashtu sikurse edhe anijet e mëdha duke vijuar lundrimin sipas planifikimit ditor.