Alarm, po mbyllen bizneset si në 1997…

Në një shkrim të revistës Monitor në 19 janar ngrihet shqetësimi se shumë biznese janë me humbje apo në vështirësi për të mbijetuar prandaj kërkojnë të shiten por nuk gjejnë dot blerës. Dhe pra mund edhe të mbyllen për mos thelluar humbjet. Kjo ndodh për herë të parë pas 1997 kur ekonomia u fundos nga skemat piramidale. Kjo është një gjëndje alarmante, pasojat e së cilës mund të jenë të paimagjinueshme.

Kërkojnë të shiten apo të mbyllen kompani deri dje të suksesshme, nga të gjithë sektorët strategjikë të ekonomisë. Sipas Monitor “Planet e shitjes kanë përshirë sektorët e mëdhenj të ekonomisë si bankat, telekomunikacionet, kompanitë e sigurimit, koncesionarët e naftës dhe disa linja të industrisë së përpunimit”.

Banka Kombëtare Greke është në fazën përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes së shitjes.

Hoteli Sheraton me 5 yje u mbyll, pasi grupi ku bënte pjesë kishte inkasuar një humbje prej 81 milion euro këto vitet e fundit.

Kompania celulare Plus u shit.

Spitali i madh Hygeia është në tratativa shitjeje.

Bankers Petrolium iu shit grupit kinez Geo Gade.

Disa linja të industrisë përpunuese agroindustriale si fabrika të miellit, të birrës e tjerë janë në shitje për shkak të vështirësive nga kompanitë e importit.

106 mijë biznese të shitjes me pakicë janë në shitje ose në prag të mbylljes, ose shumica e tyre kanë falimentuar për shkak të rënies së fuqisë blerëse.

Arsyet janë disa: rritja e taksave, rënia e fuqisë blerëse, mungesa e kredive nga bankat, politika klienteliste e monopolizuese të ekonomisë nga ana qeverisë dhe goditje e biznesve të vogla e mesatare…

Shqipëria është në rrezik, gjëndja e biznesit është përkeqësuar si para 20 vjetëve sepse edhe gjëndja ekonomike e qytetarëve është rrënuar në nivelet e para 20 vjetëve. Shumë biznese po mbyllen apo falimentojnë. Shumë duan të shiten por nuk gjejnë blerës. Disa kompani janë shitur me humbje vetëm për tu larguar nga Shqipëria ku klima për të bërë biznes është përkeqësuar duke arritur nivelet e para 20 vjetëve.