E arta Nora Gjakova – e argjendta Distria Krasniqi

Xhudistja kosovare Nora Gjakova e fitoi medaljen e artë në turneun Grand Prix që po mbahet në Tunizi.

Gjakova, e cila garon në kategorinë -57 kilogramë, e mposhti në finale jugkoreanen, Youjeong Kwon.

Ajo gjatë gjithë duelit e pati kontrollin dhe dominoi ndaj kundërshtares.

Ndërkaq, xhudistja tjetër kosovare, Distria Krasniqi, e fitoi medaljen e argjendtë. Krasniqi, e cila garon në kategorinë -52 kilogramë, e humbi duelin final nga braziliania Jessica Pereira.

Trajneri Driton Kuka është shprehur i kënaqur me rezultatet e dy xhudisteve kosovare. Ai e ka quajtur fillim të mbarë të ekipit të xhudistëve të Kosovës në vitin 2018.

Xhudistja më e suksesshme kosovare, kampionja olimpike Majlinda Kelmendi, para pak ditësh, është operuar me sukses në Slloveni. Ajo tani ndodhet në fazën e rehabilitimit./Illyria