Protesta pa 'mëdyshje' e 27 Janarit

Opozita ka vendosur më në fund të reagojë me protesta popullore për të kundërshtuar politikat e qeverisë aktuale dhe implikimin në afera të dyshimta të drejtuesve dhe ish drejtuesve të saj, dhe për të ndikuar sadopak në ngritjen ndërgjegjes qytetare që hallet e veta njerëzit të mund ti zgjidhin edhe duke kërkuar ndryshime politike, qeverisëse.

Dhe kjo është më se normale kur eksponentë të lartë të qeverisë janë akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion apo iniciativa për të kapur e kontrolluar drejtësinë.

Por nuk e kam kuptuar asnjëherë naivitetin e vetëdijshëm të ish drejtuesve të Partisë Demokratike apo personave të tjerë publikë të pavarur, që sa herë ka diçka për të qenë e vlerësuar në kampin opozitar, diçka që mund t’ia rrisë vlerën reagimit edhe pse minoren, ata turren me shkopinj e dërrasa për ta rrëzuar e goditur për vdekje. Vetëm pak kohë më parë dilnin nëpër skena studiosh të lëvizshme me makijazh e pudër duke bërtitur se pse nuk reagon Basha për Tahirin...... e tani që ka vendosur të protestojë ata zhurmshëm sërish reagojnë e në vend që ta mbështesin dalin kundër, por krejt kundër pra.

Edhe formulat që zgjedhin për të shprehur mendimet e tyre janë totalisht të dala mode. Ata duhet të përveshin krahët e të mbështesin opozitën. E jo të shikojnë realitetin akoma më syzet që u sjellin si imazh për sytë e tyre vetëm formën e karriges.

Nëse Basha ka vendosur të këtë një ta ardhme politike të qartë ai nuk duhet te tërhiqet dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj frike pasi kur hallet e popullit i ke me vete e lufton për zgjidhjen e tyre, çdo herë ja del me faqe të bardhë. Dhe këta që kanë halle të verteta e kanë shumë më të ndryshëm problemin e atyre se sa ata që kërkojnë që protesta të jete estetikisht e bukur apo estetikisht e kanë me mëdyshje që të marrin pjesë. Kurrkujt nuk i duhet mëdyshja e askujt. Njerëzit në demokraci ose protestojnë ose jo. Mëdyshje mund të kesh kur ke vendosur të vendosësh ndonjë 1, X, apo 2 në një skedinë ‘loto sporti’, por jo në vendimmarrjen individuale të qenësishme për të marrë pjesë në një protestë si iniciativë qytetare të iniciuar politikisht e çka pritet të jetë edhe e mbështetur masivisht. Nuk mendoj se ka nga ata që mund të gjejnë shkakun dhe bindjen e tyre me 26 janar në darkë për të marrë pjesë në protestë.

Duke shprehur mëdyshje e duke e bërë këtë publike, këta kundërshtarë të protestës vetëm sa e minojnë frymën qytetare e politike të reagimit në formën e protestës. Aq i gabuar është një perceptim i tillë saqë edhe vetë Edi Rama do ti kundërshtonte që të mos dilnin me kaq zell kundër protestës së opozitës se po ja kalojnë edhe Erion Braçes që shpesh herë u bën lavash duarve me kimikatet që do të vinin nga Siria.

Demokracia bëhet më e bukur kur protestohet dhe aspak e bukur kur politikanë, analistë, apo njerëz publikë, me pagesë e pa pagesë, që hedhin gurin e fshehin dorën duke minuar protestën, kështu duke minuar demokracinë.