Arrestohet taksisti në Tiranë, pasagjerët uleshin... mbi kokainë

Klaudian Sina, një 38-vjeçar që punonte taksist në Tiranë, u arrestua nga Policia pasi shpërndante drogë ndërkohë që punonte taksist. Atij iu gjetën 15 doza kokainë fshehur në sedilje, ndërkohë që po transporte 4 pasagjerë. Klaudian Sinës iu gjet kokaina e fshehur në sedilje.

Policia e Tiranës tha se " bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuar dhe finalizuan me sukses operacionin “Taksisti”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin K. S, 38 vjeç lindur në Peqin dhe banues në Tiranë , i dënuar më parë.

Shtetasi i lartpërmendur u kap në flagrancë në rreth-rrotullimin e TEGUT në këto rrethana:

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasi K.S, me mjetin tip Ford Focus shpërndante lëndë narkotike të llojit Kokainë në doza të vogla në disa zona në Tiranë, menjëherë është organizuar puna për kapjen në flagrancë të këtij shtetasi, ku në rreth-rrotullimin e "TEGUT", Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë ndërhyrë dhe kanë bllokuar automjetin në drejtim të së cilit ishte shtetasi Klaudian Sina si dhe katër pasagjerë të cilët kishin marrë si taksi .

Gjatë kontrollit të automjetit në sediljen e pasme mbrapa pasagjerit të parë, në ndarjen midis sediljes ulëse dhe asaj mbështetëse janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 15 paketime plastike të mbyllura me djegie, brenda se cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë, si dhe nje facolet brenda së cilës kishte 10 paketime plastike të mbyllura me djegie ku kishte material pluhur të dyshuar lëndë narkotike të llojit Kokainë.

Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e proves materiale: 1 automjet dhe 2 telefona celularë

Materialet proceduriale do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga neni 283 i Kodit Penal .