Rikthehen reshjet dhe bllokimi i rrugëve, ja njoftimi më i fundit i Policisë

Si pasojë e motit të keq me reshje shiu, në aksin rrugor Xibrakë-Pishkash, në segmente të ndryshme ka pasur rënie gurësh dhe inertesh.

Drejtoria e Policisë Rrugore, përmes një njoftimi për mediat bën me dije se: Shërbimet e Policisë Rrugore të Elbasanit dhe Librazhdit janë pozicionuar në të gjithë aksin problematik, ku orientojnë drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes dhe të rregullojnë shpejtësinë,

Ndërkohë subjektet që mirëmbajnë rrugët kanë vijuar punën pa ndërprerje dhe në këto momente i gjithë aksi rrugor Xibrakë-Pishkash  është i kalueshëm në të dyja kahët e lëvizjes.

Drejtoria e Policisë Rrugore  apelon për të gjithë  drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor por dhe në të gjitha akset e tjera rrugore në qarqe, të tregojnë kujdes maksimal, të moderojnë shpejtësinë, mos kryejnë parakalime të gabuara, të vendosin rrypin e sigurimit, kaskat mbrojtëse për biçikletat dhe motoçikletat,  si dhe mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit.

Ndërkohë në zonat malore, policia Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë asnjëherë pa pasur me vete zinxhirët për akullin dhe dëborën, kur kjo kërkohet nga patrullat e Policisë.

Në rast nevoje telefononi  menjëherë në numrat pa pagesë 112 e 129  dhe do të ndihmoheni nga  Patrullat e Policisë Rrugore dhe ato të Përgjithshme.