'Serbia s'ka kërkuar të marrë pjesë në hetime për vrasjen e Ivanoviçit, por punë që s'bëhet'

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se deri më tani Kosova nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga Beogradi për t'u përfshirë në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviç, por një kërkesë e tillë nuk bëhet.

Sot gjatë tërë ditës ka pasur deklarata nga zyrtarët serbë, duke filluar nga presidenti Aleksandar Vuçiç, kryeministrja serb, Ana Bërnabiç, ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin e të tjerë se Serbia do të përfshihet në hetimin e vrasjes se politikanit serb, Oliver Ivanoviq

Mirëpo, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se Serbia mund ta ndihmojë Kosovën me çfarëdo informate që ndihmon në zbardhjen e rastit, por jo edhe të përfshihen në hetim.

Tahiri ka thënë gjatë ditës tha se për hetimin e kësaj vrasjeje kompetente janë vetëm institucionet e Republikës së Kosovës.

“Deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë marrë asnjë kërkesë qoftë nga qeveria serbe apo kujtdo qoftë tjetër me u involvu në hetimin e këtij rasti, me zbardhjen e rastit së Oliver Ivanoviçit. Nuk jemi njoftu as nga EULEX-i nëse kanë marrë ndonjë kërkesë të tillë, d.m.th deri në këto momente nuk jam i njoftuar”, kishte thënë Tahiri për Express.

Gjithashtu, Serbia ka anuluar dialogun me Kosovën dhe sipas drejtorit i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, nuk do të fillojë deri sa të zbardhet vrasja e Ivanoviçit.