I vëllai konfirmon lajmin e trishtë për Ronaldinhon

Legjendari brazilian, Ronaldinho, edhe zyrtarisht i ka dhënë lamtumirën futbollit. Këtë e ka konfirmuar vëllai dhe agjenti i lojtarit, Roberto Assis.

“Ai i ka dhënë fund futbollit”, tha Assis për  O Globo.

“Le të bëjmë tani diçka të bukur për lamtumirën, shumë të madhe, ndoshta pas Kupës së Botës në Rusi, ndoshta në gusht. Do të bëjmë disa organizime në Brazil, Europë dhe Azi. Gjithashtu jemi duke aranzhuar diçka edhe me Kombëtaren e Brazilit gjithashtu”, shtoi vëllai i Ronaldinhos.

37-vjeçari nuk ka luajtur futboll profesionist që kur u largua nga ekipi brazilian, Fluminense në vitin 2015.

Ai gjatë karrierës ka luajtur për klube si Gremio, Paris Saint-Germain, Barcelona, Milan, Flamengo, Atletico Mineiro, Querétaro, Fluminense.

Fantazisti brazilian ka shënuar 280 gola në 728 ndeshje në nivel klubesh si dhe 33 gola në 97 paraqitje për Brazilin.

Ronaldinho ka fituar gjatë karrierës shumë trofe, veçohen; një Champions League, një Serie A, një Copa America, një Kupë të Botës dhe dy La Liga.

Braziliani ka fituar edhe “Topin e Artë”, si dhe është shpallur më i miri në botë nga FIFA e UEFA.