Kryemadhi: Rama ka destabilitet mendor, detyroi Visho Ajazin të japë dorëheqjen, uzurpoi Prokurorinë, tani do edhe Federatën

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka dhënë një konferencë shtypi në të cilën e ka akuzuar ashpër Kryeministrin për uzurpimin e institucioneve.

Kryemadhi tha: “Ne duam që të zbatohet Reforma në Drejtësi. I vetmi njeri që e ka kapur Reformën në Drejtësi dhe e ka përdorur Reformën në Drejtësi për interesat e veta është z. Rama. Meqënëse po themi mazhoranca e quan lojë politike, atëherë unë po i përmend: menjëherë pas zgjedhjens së Prokurores së Përgjithshme, ne kemi kthimin e pashaportës të z.Tahiri, lirimin e Orest Sotës, përgjysmimin e Mark Frrokut, lirimin e të dënuarve të ngjarjes së Xibrakës dhe shumë çështje të tjera të cilat bëjnë të dyshojnë, pra mosreagimin e prokurorëve në seancat gjyqësore të këtyre çështjeve që janë mjaft të përfolura bëjnë të dyshojnë që Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme pra po ta quajmë kështu.

Edhe duhet ta vendosim në Kushtetutë Kryeprokuroren e Përkohshme, se nuk e kemi si term. E kemi si term vetëm kur i ndërpritet mandati Prokurorit të Përgjithshëm por jo kur i mbaron mandati Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe vetë Prokurorja dje, znj.Marku  tha që problemi nuk ka të bëjë më emrin tim, por ka të bëjë me mosfunksionimin e zgjedhjes sime, pra mënyra e saj që ishte jashtë kornizave Kushtetuese.

Pavarësisht nga kjo ne e themi përsëri, jemi të hapur për tu ulur dhe për ta futur parlamentin në shinat Kushtetuese, sepse vetë historia politike e z.Rama tregon që ka një destabilitet mendor të cilin e ka kthyer tashmë në një instrument të uzurpimit të institucione shtetërore. Ky destabilitet mendor që ka,  detyroi Visho Ajazin të jap dorëheqjen, më pas uzurpoi Prokurorin e Përgjithshëm, më pas kërkon të kap të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë, siç ishte rasti i KLP dhe KLGJ dhe shumë të tjera. Tani do të marri edhe Federatën e Futbollit, ka dashur të marri Universitetin Shtetëror e të gjitha me rradhë.

Pra kemi një person i cili ka probleme shumë të mëdha, por problemet e tij nuk kanë pse të jenë problemet e shqiptarëve. Kështu që ne jemi shumë të qartë dhe shumë të hapur në këtë drejtim."