Aktivizoi gabimisht alarmin në Havaji, ja çfarë ndodh me sistemin e ...

Punonjësi, i cili të shtunën ka dërguar gabimisht alarm për sulm me raketë, duke shkaktuar panik në shtetin amerikan të Havajit, është transferuar përkohësisht në detyra të tjera, thanë zyrtarët amerikanë.

Njerëzit në gjithë Havajin kanë marrë mesazhe në telefon me paralajmërimin për një sulm të menjëhershëm.

Rregullatori amerikan i medias tha se gabimi ka qenë "absolutisht i papranueshëm".

Komisioni Federal i Komunikimeve kritikoi edhe vonesën 38-minutëshe për korrigjimin e gabimit.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave në Havaji tha se për të parandaluar përsëritjen e gabimit,  aktivizimi i sistemit të alarmit nuk do të bëhet nga një, por nga dy persona: njëri e lëshon paralajmërimin dhe tjetri e konfirmon atë.

Programi raketor dhe bërthamor i Koresë së Veriut shihet si një kërcënim në rritje për Shtetet e Bashkuara.

Alaska dhe Havaji janë shtetet më të afërta amerikane me këtë vend.