Largimi i shqiptarëve drejt BE, si po ndikon në nivelin e papunësisë...

Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë dhe Financave, deklaroi sot se në 3 mujorin e tretë të 2017, papunësia ka rënë në 13.6 %.

Por duket se në uljen e nivelit të papunësisë në vend, ndikimin më të madh nuk e ka hapja e vendeve të reja të punës, por largimi masiv i shqiptarëve drejt vendeve të BE-së.

Nëse i referohemi të njëjtës periudhë që raportohet për uljen e nivelit të papunësisë, shohim se ka një rritje të numrit të kërkesave të shqiptarëve për azil në vendet e BE-së.

Referuar shifrave zyrtare të INSTAT, shifra më e lartë e papunësisë është në Vlorë me rreth 24.6 %, ndërsa në Tiranë norma e papunësisë llogaritet në 17 %.

Vetëm 64.2% e grupmoshës 15-64 vjeç, në Tiranë janë të aktivizuar në tregun e punës. Ndërsa pjesa tjetër afro 36% janë ose të papunë ose në pension të parakohshëm.

Mesatarja kombëtare e papunësisë është 13.6%, ku Vlora, Tirana, Durrësi, Kukësi dhe Lezha kanë shifrat më të larta.

Referuar shifrave të Eurostat, 27.500 shqiptarë kërkuan azil në 2017 në vendet e BE-së. Gjermania mbetet edhe këtë vit në krye të vendeve të BE ku kërkuan azil 15.495 qytetarë nga Shqipëria, e ndjekur nga Franca me 8.875 kërkesa dhe Holanda me 1.545.