Debati në Kuvend /Basha-Ruçit: Mos fol sikur je Mbreti këtu, o mjeranë ...

Seanca e parë parlamentare për 2018-ën ka nisur me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ku nuk kanë munguar as tensionet në sallë.

Deputetët e opozitës kërkuan që në kalendarin e punimeve të Kuvendit të përfshihet nisma ligjore për ndryshimet Kushtetuese, përsa i takon kapitullit për zgjedhjen dhe funksionimin e Prokurorisë së përgjithshme.

Por, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi nuk ka lejuar Edmond Spahon që të marrë fjalën, çka ka sjellë që deputetët e opozitës të çohen në foltoren e Parlamentit. Kjo situatë çoi në ndërprerjen e seancës për 5 minuta.

Me rifillimin e punimeve të Kuvendit, kreu demokrat Lulzim Basha ka kërkuar fjalën me qëllim që amendamenti i opoziitës për Kryeprokuroren të përfshihej në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

 “Më 18 dhjetor keni dhunuar kushtetutën për të kapur Kryeprokurorin për të mbyllur dosjen e Tahirit, Dakos dhe Sejdinit. Keni bërë krim kushtetues dhe skandalizoheni sot se ju kërkojmë të zbatoni Kushtetutën.

Në momentin që keni amendamentin me 50 firma nga deputetët,  çështja duhet të futet në rend dite. Kjo sallë mund dhe do të kthehet në parametrat normalë vetëm kur ju të hidhni hapin për të rikthyer Prokurorinë në vendin e saj dhe jo në xhepin tuaj.

Dhe mos fol sikur je mbreti këtu, do të vijë dita edhe ty për të dhënë llogari.

O mjeranë merreni se e keni para amendamentin, nuk është nevoja ta mbaj mend përmendsh. O ushtarë të krimit mos u gajasni.

O atentatorë të kushtetutës  fusni në program amendamentin që ju është kërkuar me shkrim”, tha Basha.