Basha: Rama po tenton të kapë SPAK për të shpëtuar peshkaqenët, ja çfarë e pret...

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së, tha gjatë seancës parlamentare të pasdites, se mazhoranca po shkel Kushtetutën për të mbrojtur peshqit e mëdhenj nga arrestimi dhe përballja me drejtësinë.

Kreu demokrat akuzoi Kryeministrin Rama se po dikton përmes një prokurori anti-kushtetues reformimin e KLP me qëllim që të shmangë ngritjen e një SPAK të pavarur.

“Rama do që të ketë nën kontroll strukturën më të rëndësishme të reformës në drejtësi, por këtë ne s’mund të pranojmë dhe nuk do ta lejojmë. Ndaj i bëj thirrje çdo shqiptari, përfshi këtu edhe socialistët, që të mos vendosin Tahirin, Habilajt dhe krimin mbi interesat e Shqipërisë”, tha Basha, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës së 27 janarit.

“Sot po kthehemi pas 1 muaji në vendin e krimit. Mazhoranca e kapur nga krimi dhe e zhytyr në krim, e lidhur me trafikantët e drogës, kreu krimin kushtetues, kapi prokurorinë.  Që nga 18 dhjetori janë shembur kollonat ekzistenciale të ndarjes së pushteteve, njeriu që drejton me grusht të hekurt teatrin e kukullave të grupit parlamentar, të dalë nga zgjedhjet e blera me paratë e krimit dhe drogës, sot është edhe kryeprokuror.

Kjo është rruga e aleancës me krimin për të marrë dhe mbrojtur pushtetin. Kjo është rruga për mbrojtjen dhe paprekshmërinë e kriminelëve.

E vetmja mënyrë për të garantuar paprekshmërinë e kriminelëve është shkelja e Kushtetutës, ligjit dhe kapja e institucioneve.

E vetmja rrugë që ka është ekstra institucuionale, kapja e shtetit, por kjo është rruga e fundit që i kishte mbetur përpara se të shkatërrohet”, tha Basha.

Në vijim ai u ndal në disa vendime që janë marrë pas asaj që e quan si kapjen e Prokurorisë së Përgjithshme nga Edi Rama.

“Pas kapjes së Prokurorisë, Sajmir Tahirit iu hoq masa ndaluese për të dalë jashtë vendit. Orest Sota i kapur në flagrancë me 863 mijë euro kesh bashkë me patentat e lundrimit të Tahirit, i akuzuar për pastrimin e parave të ish-ministrit, sot nuk ndodhet në burg por u lirua. Po bëhen përpjekje për të ndaluar hetimet ndaj Vangjush Dakos dhe Qazim Sejdinit, të njohur për lidhjet e tyre me grupet dhe bandat kriminale.

Grupit të trafikantëve të drogës të Xibrakës, ku ka të dhëna të forta për përfshirjen e familjarëve të kryeministrit, iu ulën dënimet.

Hetimet për Shullazin dhe të tjerë që po gjykohen me shumë gjasë  do të përfundojnë me lirimin e tyre.

Të gjitha këto kanë ndodhur vetëm në pak javë që nga momenti i kapjes së Prokurorisë.

Por nuk mjafton kjo, pasi kriminelët e kanë marrë sinjalin. Tritoli, grabitjet, vrasjet, vjedhjet e bankave janë bërë të përditshme. Dhe e gjitha kjo ndodh sepse krimi ka marrë sinjalet, Edi Rama ka rilindur policinë me njerëz të inkriminuar të larguar nga rradhët e saj, nga qeveritë e mëparshme socialiste”, tha Basha.

Në vijim ai shtoi se ekonomia është në kolaps, depresioni në të cilin ndodhet biznesi nuk mund të fshihen më as nga burimet zyrtare.

“Gjatë vitit 2017, 12960 subjekte falimentuan, që i bie mesatarisht rreth 50 sipërmarrje në ditë, ndërsa vetëm në ditët e para të janarit 334 biznese kanë deklaruar falimentin”, tha Basha.