Elbasan, nuk pranon ndarjen , 46 vjeçari i shkatërron makinen, arrestohet

Tenton t’i japë fund lidhjes, por i dashuri në shenjë hakmarrjeje, i dëmton asaj makinën. Ngjarja ndodhi në Elbasan, ndërsa Policia arrestoi 46- vjeçarin, Arian Stafa, për veprat penale të përndjekjes, shkatërrimit të pronës dhe armëmbajtjes.
Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, ngjarja ka ndodhur gjatë natës, teksa 27- vjeçarja me inicialet Z.K., kishte parkuar makinën para pallatit të saj.
Por në mëngjes, ajo është njoftuar nga fqinjët e saj, se mjeti ishte dëmtuar gjatë natës. Nga hetimi i kryer nga Policia në vend, nisur edhe nga mekanizmi i ngjarjes së shkaktuar, është dyshuar se kishin të bëjnë me diçka të qëllimshme. Për këtë shkak, i dyshuari i parë ka qenë 46- vjeçari Stafa, me të cilin e reja kishte pasur lidhje disa kohë, por së fundmi, ajo kishte vendosur të ndahej prej tij.

Duket se kërkesa e vajzës nuk është pritur mirë nga 46-vjeçari, i cili përveçse nuk e ka pranuar ndarjen, ka nisur ta përndjekë vajzën. Edhe gjatë ditës së shtunë, ata janë konfliktuar nëpërmjet telefonit, pasi ai i kërkonte asaj të dilte nga banesa dhe të takoheshin. Vajza nuk ka pranuar ta takonte atë e për rrjedhojë dyshohet se ai gjatë natës ka marrë makinën e tij dhe ka goditur për hakmarrje atë të 27- vjeçare.

Policia ka shkuar në banesën e tij dhe e ka ndaluar, ndërsa gjatë kontrollit atij i është gjetur një armë zjarri automatik dhe 126 fishekë model 56 kalibër, 7.62 mm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Përndjekja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.