Mitropoliti i Serbisë e ofendoi rëndë për Kosovën, ja si reagoi Vuçiç

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ndihet i fyer nga akuzat që Mitropoliti Amfilohije i ka bërë lidhur me Kosovën. Vuçiç tha se e ka fyer deklarata se " politika e Presidentit shpie drejt tradhtisë së Serbisë ndaj Kosovës”, sipas Koha.net.

Vuçiç ka theksuar se fjalët e mitropolitit e kanë goditur personalisht, por ai nuk dëshiron t’i përgjigjet Amfilohijes, pasi nuk ka dëshirë të flasë asgjë të keqe për Kishën Ortodokse Serbe.

"Ajo deklaratë më ka goditur personalisht sepse nuk e kam merituar. Amfilohije ka deklaruar diçka që mendon se do të ndodhë, diçka për të ardhmen. Më ka fyer personalisht, më ka fyer shumë", citon rts të ketë thënë Vuçiç. Ai ka theksuar se përgjigjen më të mirë, Amfilohijes ia ka dhënë patriarku serb Irinej dhe për këtë, e kishte falënderuar. Irinej kishte thënë: “Vuçiç po lufton si luan për ta mbajtur Kosovën në Serbi!”

Vuçiç ka folur edhe për atë që në Beograd po konsiderohet "Apel për mbrojtjen e Kosovës". Ai ka gjykuar me ashpërsi se mbrapa "Apelit" qëndrojnë “patriotët më të mëdhenj”, të cilët dolën që Malin e Zi ta largojnë nga Republika Federale e Jugosllavisë, që Kosova të shpallë pavarësinë dhe që ata pavarësi ta njohë numri më i madh i vendeve”.