Vila: Nuk e di pse më larguan nga Partizani, ja kush më komunikoi largimin

Emiliano Vila ka folur në një komunikim për “Supersport”, pas arritjes së marrëveshjes me Skënderbeun. Ai shfaqet i lumtur për transferimin te korçarët, por dështon të tregojë arsyet që e larguan nga Partizani.

“Jam mjaft i lumtur që arrita marrëveshjen me Skënderbeun. Kush e vesh fanellën e Skënderbeut ndihet shumë mirë. Nuk u ndjeva mirë që nuk isha në planet e skuadrës. Unë dua të falënderoj Partizanit për të gjithë vitet e bukura që kam kaluar te kjo skuadër. Nuk e di se pse nuk më deshën më te Partizani. Ka qenë drejtori Olsi Rama që mua, Malotës dhe Krasniqit na komunikoi largimin.”

Vila beson se nuk do ta ketë të vështirë të përshtatet te Skënderbeu, pasi shumë nga lojtarët e këtij ekipi i njeh mirë.

“Tani duhet të flas më shumë për të ardhmen, pra për Skënderbeun. Kam vetëm 2-3 ditë me ekipin, do të më duhet pak kohë për t’u përshtatur. Gjithsesi, me disa nga lojtarët kam luajtur edhe më parë kështu që s’do të jetë e vështirë për t’u përshtatur.”