VIDEO/ Ja çfarë nuk përmendi Edi Rama në 105 vjetorin e policisë...

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në 105 vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit renditi sukseset e arritura në 4 vitet e fundit, duke mos përmendur faktin tashmë të pranuar botërisht, atë të kanabizimit të vendit dhe mijërave tonë lëndë narkotike të eksportuar drejt vendeve fqinje.

Rama tha se në 2017 vendi mbylli një plagë të thellë dhe në 2018 nuk kemi as Lazarat dhe as lazaratër të shpërndarë në trupin e saj.

Por Kryeministri nuk tha asnjë fjalë për grupet kriminale, përfshi këtu edhe Habilajt e Vlorës, që po hetohen nga antimafia italiane, nga ku ka dalë i përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, që po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

“Në vitin 2017 vendi mbylli një plagë të thellë që pati infeksionet që ne njohim, sot në 2018 ne nuk kemi as Lazarat dhe as lazaratër të shpërndarë në trupin e saj. Vjen policia hoqi nga duart e organizatave kriminale mbi 40 mln euro pasuri, ndërkohë që 4 vite më parë kjo shifër nuk kalonte 1 milionë euro.

Në 2017 garantoi numrin më të ulët të vrasjeve në historinë e statistikave pas ’90, ndodhën vetëm 50 vrasje, nuk është shifër shumë e ulët, por minimumi historik dhe më shumë se gjysma e 107 vrasje në 2013 dhe 126 në 2012, dhe një shifër më e ulët se shifra e një vendi të BE ku flitet shumë për krimin shqiptar”, tha Rama.

Rama ka falënderuar të gjithë ata punonjës me uniformë që luftojnë përditë me te keqen dhe ato që shkelin ligjin, apo me te keqen brenda vetes, që është kërcënim i çdo organizimi, por nuk tha asnjë fjalë sesi drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, deri në nivelin e drejtuesve të qarqeve, që sot janë të shpallur në kërkim për trafikun e drogës, u emëruan në postet drejtuese.

Gjithashtu, Kryeministri nuk përmendi ata zyrtarë të policisë që 2 apo 3 vite më parë denonconin lidhjet e drejtuesve të policisë dhe ish-ministrit të Brendshëm me grupet kriminale, dhe që sot janë larguar nga Shqipëria, pas kërcënimeve, presioneve dhe terrorit të ushtruar nga ata që sot ndodhen nën hetim, në kërkim apo të arrestuar.