Arrestohet edhe një tjetër nga 'ninxhat' që sulmuan parlamentin e Maqedonisë

Është arrestuar Mlladen Dodevski, të cilin ministria e Brendhsme e Maqedonisë e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar bashkë me Aleksandar Vasilevskin  "Ninxha", Nikolla Mitrevskin "Kolo", Dejan Davidovskin dhe Mitre Pitropovskin, njofton Portalb.mk.

Të gjithë akuzohen për rrezikim të sigurisë dhe rendit kushtetues të Maqedonisë dhe dhunë të rënda në parlamentin e Maqedonisë më 27 prill 2017.

Dodevski, sipas hetimit është njëri nga dhunuesit e maskuar, të cilët më 27 prill, u lëshuan nga njësitet speciale, në krye të të cilëve ishte ish-drejtori i BSP-së, tani edhe ai i arrestuar, Mitko Çavkov, që të hyninnë Kuvend dhe të rrihnin deputetët dhe gazetarët.

Ai është arrestuar mbrëmë, sot pritet që të dërgohet përpara gjykatësit të procedurës paraprake..

Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1 më 27 dhjetor, ua vazhdoi masën për paraburgim, 29 personave në lidhje me ngjarjet e 27-prillit në parlamentin e Maqedonisë. 23 personave u është vazhduar masa 30-ditë paraburgim, katër personave u është vazhduar masa  arrestit shtëpiak, ndërsa dy të akuzuarve masa e paraburgimit u është ndërruar me arrest shtëpiak.

Për vazhdimin e paraburgimit për të dyshuarit e 27-prillit janë dorëzuar 16 ankesa në Gjykatën e Apelit.