Duka nis fushatën, ja çfarë thotë për Finon dhe për garën për kreun e FSHF-së

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zyrtarizoi paraditen e sotme, përmes një postimi, kandidaturën e tij për një tjetër mandat në krye të FSHF-së.

Këtë pasdite, në një intervistë për TCH, Duka tregon arsyet për këtë rikandidim.

“Pikëpyetjet janë ato që çdo njeri i ka në kokën e tij. Shumë vite, një njeri me energji të reja, le ti jepet mundësia dikujt tjetër, por duke parë se nuk ka alternativa apo projekte më të mira, shkova në këtë vendim të rikandidoj”, thekson kreu aktual i FSHF-së.

Gara - “Kjo është një garë apo një lojë e dashur për të gjithë shqiptarët, por është garë dhe ka emocione. Shpesh herë prodhon edhe konflikte, cënon edhe interesa. FSHF duke qenë në rolin e organizatorit, shpesh herë kundërshtohet. Patjetër që ka anëtarë të pakënaqur, nga ku dalin edhe alternativa të reja, por në përgjithësi raportet me të gjithë anëtarët kanë qenë pozitive”.

Rivali - “Do doja ta shikoja jo si sekretar në Partinë Socialiste, por si iniciativë e Bashkim Finos. Dua ta shoh kështu këtë garë. E shikoj si iniciativë pozitive, që ai kërkon të japë eksperiencën e tij në insititucion e futbollit në Shqipëri”.