Trump i shtrin dorën e bashkëpunimit udhëheqësit koreano-verior

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur i hapur, por me disa rezerva për bisedime të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut gjatë një bisede telefonike me homologun e tij koreano-jugor, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

Megjithëse Donald Trump është përfshirë prej ardhjes në pushtet në një konfrontim verbal me liderin koreano-verior, Kim Jong-Un në lidhje me testet e raketave nga ana e Phenianit, ai ka ndryshuar ndjeshëm tonin gjatë javëve të fundit, duke mos përjashtuar a priori mundësinë e një bisede telefonike me këtë të fundit.

“Presidenti Trump njoftoi se ishte i hapur për bisedime mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut në momentin e duhur dhe nëse rrethanat ishin të favorshme”, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë duke iu referuar bisedës së Trump me presidentin Moon Jae-In.

Sipas ekzekutivit amerikan, Moon falenderoi kreun e Shtëpisë së Bardhë për rolin e “lidershipit” për ndihmesën në arritjen e bisedimeve mes Veriut dhe Jugut.