VIDEO/ Basha në SYRI.net: Rama po paguan faturën ndaj krimit...

Lulzim Basha, kryetar i PD-së, tha në emisionin Fakt në Syri.net se Edi Rama po paguan faturën ndaj kriminelëve. Basha akuzoi Kryeministrin se i ka dhënë krimit doganat, tatimet, Shqipërinë.

“CIA në raportin e saj na thotë narko-shtet. Me mijëra dalje publike të miat dhe të opozitës kanë denoncuar atë që sot po provohen dita-ditës. Ne treguam largpamësi, vizion, program për ta nxjerrë Shqipërinë nga gjendja ku ndodhet sot Shqipëria”, tha Basha.

Sipas tij, kur kemi konstatuar krimin në Parlament atëherë morëm nismën për ligjin e dekriminalizimit, që është unik në Ballkan.

“Ende kemi sot të inkriminuar në Kuvend, administratën shtetërore apo në Bashkitë, por nuk ishte pa produkt nisma. Kjo ishte arritja e opozitës, ne bëmë detyrën për të ndërgjegjësuar dhe denoncuar”, tha ai.

Basha tha se ka bërë detyrën e tij si kryetar i opozitës, duke shtuar se e ka bërë këtë me pasion.

“Një Shqipëri e rregullave të barabarta do të jenë një Shqipëri për të gjithë shqiptarët. Sot ka vetëm 5 %  që janë në krah të Edi Ramës, ndërsa shqiptarët janë kthyer në skllevër”, tha Basha.

Sipas tij, Rama thotë që po ndërton shtet, ndërkohë që Tahiri që ka përfituar miliona nga droga nuk lejohet të arrestohet, ndërsa një 22 vjeçar për një cigare hashashi vret veten në burgun e Rrogozhinës.