Vetingu / Ja formularët që duhet të plotësojnë 12 mijë punonjësit e policisë

Punonjësit e policisë do të duhet të plotësojnë dy formularë në kuadër të proçesit të vetingut, pas miratimit që Kuvendi do t’i bëjë draftit të Ministrisë së Brendshme, i cili është në fazën e konsultimeve.

Punonjësit e policisë do të duhet të deklarojnë pasurinë si dhe do të pyeten për pastërtinë e figurës së tyre.

Në formularin për pasurinë, shefat e policisë dhe të gjithë punonjësit e tjerë, do të deklarojnë pronat e blera ose të trashëguara, makinat që përdorin dhe paratë që kanë në llogaritë bankare.

Po kështu në formular, shefat e policisë dhe oficerët do të tregojnë udhëtimet që kanë kryer jashtë shtetit në 3 vitet e fundit, përfshirë familjarët e tyre.

Edhe shkollat private brenda apo jashtë vendit ku kanë arsimuar fëmijët, policët duhet ti specifikojnë në formularin për pasurinë, raporton Report Tv.

Policët do bëjnë publike nëse kanë biznese apo borxhe ndaj personave të tjerë.  Një tjetër formular i rëndësishëm që do plotësohet nga uniformat blu, është edhe ai për kontrollin e figurës.

Në formularin e dytë policët do specifikojnë nëse kanë pasur emër tjetër, apo ndonjë nofkë që e kanë thërritur nga personat e tjerë. Gjithashtu do tregohen të gjitha adresat e banimit, të dhënat për arsimit si dhe të gjitha punët që kanë kryer nga data 1 janar 2012.

Ashtu si ligji i dekriminalizimit për deputetët, policët duhet të shkruajnë në formularë, nëse janë dënuar ndonjëherë, apo janë ndaluar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për herë të parë oficerët e policisë do të bëjnë publike nëse ndonjë nga familjarët e tyre është i lidhur me krimin e organizuar. Pikërisht pyetjet për krimin e organizuar do të jenë më interesantet, pasi uniformat blu duhet të deklarojnë nëse janë takuar ndonjëherë me anëtarët e grupeve kriminale apo nëse kanë marrë dhurata dhe para nga krimi i organizuar.

Policët duhet të shkruajnë me detaje nëse konsumojnë lëndë narkotike, por edhe nëse kanë varësi nga alkooli apo lojërat e fatit. Në fund të çdo formulari specifikohet se nëse plotësojnë të dhëna të pasakta, policët do të lirohen nga detyra.