Klevis Balliu në Syri.net: Nuk ka kthim pas, protesta deri në...

Deputeti demokrat Klevis Balliu tha në studion e Syri.net se mënyra sesi u largua Haki Çako nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ishte i turpshëm. Balliu tha se Çako u shkarkua duke i thurur lavde, në një kohë që ai duhej të jepte llogari në lidhje me drogën.

“Ishte Çako ai që ka firmosur emërimet në krye të policisë të personave që rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës”, tha Balliu. Sipas tij, çështja Tahiri nuk konsiderohet aspak e mbyllur.

“Ne liberalizuam vizat, këta liberalizuan drogën. PD kur ishte në pushtet mbajti ekuilibrin ekonomik në vend, në një kohë kur Europa ishte në recension. PD futi Shqipërinë në NATO, ndërsa Lulzim Basha që ka drejtuar Ministrinë e Brendshme, që ka arrestuar 100 banda, sot është në krye të opozitës”, tha Balliu.

Referuar kërkesës për qeveri anti-mafia, Balliu tha se përmes saj kërkohet luftë bandave të krimit, trafiqeve, drogës.

“Rruga që do të arrijmë në një qeveri anti-mafia janë protestat. Duhet një qeveri që duhet të luftojë krimin dhe bandat. Nuk ka kthim pas deri në rrëzimin e qeverisë Rama. Do të nisë stina e protestave, që nuk kanë të bëjnë me një çështje partiake, por me një çështje kombëtare”, tha Balliu.

Sipas tij, Rama ka deklaruar hapjen e 10 hoteleve me 5 yje, ndërkohë që e vetmja kompani që kishte një hotel të tillë, Sheraton, u largua.

“Jemi kryeqyteti i vetëm që nuk kemi kompani internacionale në fushën e turizmit”, tha Balliu.

Në vijim ai shtoi se më 27 janar do të shihet mbështetja që pa PD nga qytetarët shqiptarë.

“Në protestën e fundit protestuesit u dhunuan, përfshi këtu edhe një deputete të LSI-së. Që ngjarja të tilla të mos përsëriten ne do të jemi aty, për të siguruar qytetarët shqiptarë që nuk do të dhunohen dhe ngjarje të tilla nuk do të përsëriten”, tha Balliu.

Në vijim ai vlerësoi si pozitiv bashkëpunimin e PD me LSI, duke e cilësuar një traditë shumë të mirë dhe të suksesshme dhe në qeverisjen e vendit.

“Në protestën e 27 janarit duhet të bashkohet çdo shqiptar për të luftuar këtë qeveri që është rreziku më i madh jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë e vendit. Shikoni ngjarjet kriminale që kanë ndodhur dhe ndodhin çdo ditë, aq sa ngjarjet e bujshme nuk përmenden më”, tha Balliu.