Klevis Balliu në Syri.net: Zgjedhjet u vendosën në Katania. Ja pse protestojmë më 27 janar ...

Deputeti demokrat Klevis Balliu tha në studion e Syri.net se Partia Demokratike ka denoncuar pastrimin e parave, implikimin e drejtuesve të policisë dhe ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, në trafikun dhe kultivimin e drogës. Duke komentuar raportin më të fundit të CIA-s, Balliu tha se ato që thuhen sot në këtë raport PD ka 4 vjet që i denoncon. “Ky raport tregon se opozita në Shqipëri ka pasur të drejtë në të gjitha denoncimet, raporti fakton se akuzat janë të drejta”, tha Balliu. Në vijim ai shtoi se PD humbi zgjedhjet sepse nuk pati të tilla, pasi zgjedhjet u blenë, pasi bandat e qeverisë ishin në terren. “Në zgjedhje u përdorën paratë e kanabisit, varfëria e shqiptarëve çoi në një lehtësi në blerjen e votës së qytetarëve me paratë e krimit dhe drogës”, tha Balliu.

Lidhur me protestën e 27 janarit, Balliu theksoi se mjafton të shihen xhepat e shqiptarëve për të kuptuar se për çfarë po protestohet.

“Shqiptarët sot paguhen me 200 mijë lekë në muaj, ndërkohë që çmimet janë stratosferike. Po protestohet për gjendjen ekonomike, shqiptarët sot janë të rrënuar ekonomikisht. Qeveria mori nën kontroll Policinë e Shtetit, e inkriminoi dhe i dha pushtet bandave dhe krimit. Plani i dytë ishin koncesionet. U zhdukën mbi 820 milionë euro dhe këtë e thotë KLSH. Masdje mund të themi se ne jemi vonë në proceset e protestave, por që të dalësh në një betejë duhet të jesh gati, duhen shpjeguar arsyet sepse shqiptarët duhet të vijnë në protesta”, tha Balliu.

Në vijim ai shtoi se Edi Rama duhet të tregohet i matur, duhet të japë dorëheqjen dhe të largojë bandat e krimit nga qeveria.

“SHBA nuk mund të bashkëpunojnë me banditët, dhe këta qeveritarë komandohen nga bandat. Banditët i dhanë pushtetin kësaj qeverie. Zgjedhjet e 25 qershorit u vendosën në Katania, pasi bandat e drogës së Habilajve i dhanë paratë që blenë zgjedhjet”, tha Balliu.

Sipas tij, shqetësimi i PD nuk ka qenë kryeprokurorja, por procedura që u ndoq. “Shqetësimi ynë kishte të bënte me shkeljen e Kushtetutës që bëri Rama. Nesër Edi Rama mund të miratojë një ligj që të ndalojë votimin, atëherë çfarë do të bëhet? Pra ne ishim kundër një precedenti, shkeljes së Kushtetutës dhe jo emrit që u zgjodh”, tha Balliu.