Investigimi/ Biznes mes miqsh! Miku i Fugës merr monopolin e taksive elektrike në Tiranë

Në 23 nëntor 2017 Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi një vendim, i cili diferencon taksitë elektrike nga pjesa tjetër e flotës së taksive të Kryeqytetit. Vendimi, i cili sipas antarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak u kalua me shpejtësi dhe pa transparencë, sanksionon se taksitë elektrike do të mbajnë ngjyrën e bardhë me logo të jeshile për t'u diferencuar nga pjesa tjetër e taksive të zakonshme, të cilat janë të verdha.   

"Bashkia e Tiranës nëpërmjet ndryshimit të ngjyrës së taksive 4+1 elektrike, kërkon të promovojë dhe nxisë rritjen e numrit të taksive elektrike si dhe të ndërgjegjësojë qytetarët të përzgjedhin për udhëtim mjete, të cilat nuk ndotin ajrin" thuhet në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Menjëherë pas miratimit të vendimit, në rrugët e Tiranës kanë nisur të qarkullojnë taksitë e para elektrike, të cilat i përkasin të gjitha të njëjtës kompani. Ajo quhet Green Taxi, me aksioner të vetëm, Endrit Mashën.

Z. Masha është në rrethin e ngushtë të pushtetit. Ai është kreu i komunikimeve dixhitale, në departamentin e Komunikimeve në Kryeministri, vartës i Endri Fugës. Burime konfidenciale thanë për Syri.net se Masha njihet për miqësinë e tij të ngushtë me Fugën, por edhe vetë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sponsorizimi nga Velia

Green Taxi është një kompani e re e krijuar në prill të vitit të kaluar. Ajo e përshkruan veten si kompania e parë në tregun shqiptar me një flotë makinash elektrike.

Ngritja e rrufeshme e Green Taxi nuk është e rastësishme. Në Shtator të vitit të kaluar, kompania u promovua nga vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

" Më vjen mirë që sot kemi kompani taksish, të cilat janë 100% elektrike. Nëse do udhëtoni me taksi përdorni një nga taksitë elektrike, kanë të njëjtin çmim, por ama i kemi shpëtuar natyrës dhe fëmijëve të këtij qyteti një ndotje të jashtëzakonshme”, tha Veliaj për kompaninë e mikut të tij, Masha.

Syri.net nuk mundi të verifikojë procedurat e liçencimit të saj nga Bashkia e Tiranës.  Por miratimi i shpejtë i vendimit për diferencimin e taksive elektrike në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe shfaqja menjëherë pas tij e kompanisë Green Taxi në rrugët e Tiranës, ngre dyshime të mëdha.

Për shkak të politikave mjedisore, Bashkia e Tiranës, pritet të kalojë të tjera vendime, të cilat do të favorizojnë taksitë elektrike. Dyshimet janë se Bashkia ka filluar që tani të krijojë monopolin e taksive elektrike të Tiranës, pas të cilit qëndron miku i ngushtë i Endri Fugës, por edhe vetë kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliaj.

Shoqata e Taksive kundër

Tregu i taksive në Tiranë është i mbipopulluar. Vendimi për liçencimin e një kompanie të re është kundërshtuar nga Shoqata e Taksive.

Sipas tyre, kalimi tek taksitë elektrike mund të bëhej gradualisht nga kompanitë që kanë liçencat ekzistuese dhe jo përmes dhënies së një liçence të re. Por këto kundërshtime nuk janë marrë parasysh.

Vendimi i Këshillit Bashkiak, që diferencon taksitë elektrike nga pjesa tjetër e taksive duket se i ka hapur rrugën monopolizimit të taksive elektrike në kryeqytet. Pikërisht në duart e Pikerisht ne duart e njerezve te afert me Fugen dhe vet Veliajn.