Arilena Ara zbuloi historinë e fshehtë, Flori Mumajesi detyrohet të dalë hapur me Liberta Spahiun

Flori Mumajesi është një ndër këngëtarët dhe kantautorët më të mirë shqiptarë, por përveç këngëve hit, ai shpesh herë ka qenë në qendër të vëmendjes për lidhjet e tij të dashurisë me femrat e njohura për publikun.

E, duket se kësaj here kantautori shumë i talentuar është gjendur mes dy femrave, një biondeje në fushën e tij dhe një bruneje në botën e televizionit. Fjala është për këngëtaren Arilena Ara dhe moderatoren e “Prive” prej nëntë vitesh, Liberta Spahiun. Ai personalisht nuk kishte deklaruar në media ende as për njërën, as për tjetrën, edhe pse për të dyja ka pasur aludime të shumta se ai ka pasur histori. Por duket se lojën e hapi e para Arilena Ara, e cila po shijon suksesin dhe turet koncertore me këngën “Nëntori”.

E ftuar para Vitit të Ri, në programin “Top Show magazinë”, Arilena pranoi të fliste dhe për marrëdhënien me Florin, për të cilin u fol se kishin përjetuar një flirt pasionant që nga bashkëpunimi për klipin “Nallane 3”, të pasuar me deklarata të hapura në 35-vjetorin e muzikantit. Ndërkohë që Flori po përflitej për histori me Libertën, e cila është dhe arsyeja e vendosjes së tij në Prishtinë, Arilena ka folur për atë, që mund të ketë ndodhur mes saj dhe Florit.

“Gjithçka nisi duke pirë një gotë verë”, tha ajo në “Top Show” pa e mohuar se mestyre ka pasur diçka më shumë. Natyrisht që deklarata e Arilenës, nxori në sipërfaqe një histori të fshehtë mes saj dhe kantautorit, për të cilën ndoshta Flori nuk do të kishte dashur të fliste, aq më tepër tani që lidhja e tij me Libertën ka marrë drejtim serioz. Kështu, nisur nga ky konfuzion mediatik dhe zhurmë që shkaktoi Arilena, ai është i detyruar, në një farë mënyre, ta nisë Vitin e Ri 2018, me një deklaratë dashurie për vajzën më “cool” të Prishtinës, Libertën. Gjatë koncertit në Prishtinë ku performoi me djemtë e “Threedots”, mesnatën e së mërkurës, Flori në mes të koncertit i bëri dedikimin special Libertës.

Ai iu drejtua publikisht me fjalët: “Jam me fat që të kam pranë”, duke e bërë moderatoren të emocionohej në prani të miqve. Momenti në fjalë është filmuar nga miku i tyre, moderatori Alaudin Hamiti, i cili e ka postuar atë në Insta Story, për ta fshirë vetëm pak minuta më pas.

33-VJETORI I ARTË I LIBERTËS DHE PLANI PËR T’U MARTUAR ME FLORIN

Askush nuk e dinte moshën e Liberta Spahiut, deri në momentin që ajo postoi vetë foton nga koncerti i Flori Mumajesit, që mund të konsiderohet një festë e madhe që Flori organizoi për të dashurën e zemrës në mes të Prishtinës.

Miku i të dyve, gazetari Alaudin Hamiti, postoi një foto të Libertës ku ajo tregonte moshën, pikërisht 33-vjetorin e saj. Poza e prezantueses duket me dy kuptime, pasi tregon ndërkohë dhe unazat në gisht, një prej të cilave mendohet nga fansat se është dhuratë e Florit. Duket, se lidhja e saj me muzikantin po shkon drejt zyrtarizimit, duke qenë se në programin e Vitit të Ri, ajo pranoi t’u përgjigjej pyetjeve për të.

E pyetur se kush është Flori në jetën e saj, ajo iu përgjigj: “Eshtë një gjeni për atë që bën”. Ndërsa pyetjes tjetër, nëse mund të jetë ajo një nuse në Tiranë, iu përgjigj “Po, pse jo”. Miq të tyre të afërt kanë treguar se, në fakt, Flori po e sheh si partnere serioze Libertën, ndërkohë që ndër planet e tyre është edhe martesa.

Ata u përfolën për lidhjen disa muaj më parë, qëkur Liberta u fotografua pranë Florit dhe djemve “Threedots”. Pas kësaj marrëdhënieje, Flori u zhvendos në Prishtinë për të mos pasur lidhje në distancë.

Kujtojmë që lidhja e çiftit nis pas shkëputjes së Florit nga këngëtarja Elvana Gjata, njëkohësisht mikesha e ngushtë e Libertës. Ndërkohë vetë Spahiu ka deklaruar se ka pasur një lidhje të shkurtër dhe jo shumë të rëndësishme me reperin e njohur nga Kosova, Getoar Selimi./Panorama plus