Shifrat/ Brenda 1 jave u goditën 21 raste paligjshmërie, ja çfarë është zbuluar...

Policia Kufitare e Durrësit ka deklaruar goditjen e 21 rasteve të paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, kalimit të paligjshëm të kufirit, kontrabandës, trafikimit të mjeteve motorike, apo të braktisjes së fëmijëve.

Referuar të dhënave zyrtare,  nga kjo polici janë arrestuar 2 shtetas si dhe janë proceduar 11 të tjerë, për “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi janë kapur në flagrancë nga forcat e Policisë Kufitare në terminalin e përpunimit të pasagjerëve, në Portin e Durrësit, duke tentuar për të kaluar kufirin në mënyrë të kundraligjshme për në Itali, me dokumente të falsifikuara ose duke shfrytëzuar ngjashmërinë.

Po gjatë kësaj jave, janë evidentuar dhe proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët kanë tentuar të kalojnë për në Itali , duke ju shmangur kontrollit në terminal, por janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare në Terminal në tentativë për tu larguar me traget.

Gjithashtu është proceduar penalisht një shtetase për “Braktisja e fëmijëve të mitur”, pasi kjo shtetase pasi ka kaluar për në Itali, ka udhëtuar në drejtim të Gjermanisë dhe aty ka braktisur të dy fëmijët e mitur 11 vjeç e 12 vjeçe.

Po nga Sektori i Hetimit në DVKM Durrës është evidentuar dhe goditur një rast për “Trafikim të mjeteve motorrike”, ku është proceduar penalisht një shtetas, pasi në hyje në portin e Durrësit, automjeti tip “Renault”, rezultoi i vjedhur në Francë.

Si dhe janë evidentuar dhe goditur edhe tre raste të kontrabandës me cigare, ku janë proceduar penalisht tre shtetas, pasi në automjetet e tyre janë gjetur të feshura në tavanet dhe dyert e automjeteve steka me cigare të llojeve të ndryshme.

Masa janë marrë edhe në kufirin detar ku janë shtuar patrullimet si dhe koordinohet me QNOD e DVP. Durrës, për të evidentuar dhe parandaluar në kohë çdo tentativë të mundshme për ushtrim të veprimtarisë kriminale qoftë nëpërmjet kufirit detar.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar ofrimit për qytetarët të një shërbimi sa më cilësor dhe në kohë.Në këtë kuadër gjatë kësaj jave është punuar me sportele të shtuara në dalje, me qëllim eleminin e vonesave.

Gjatë kësaj periudhe kanë hyrë 6 517 shtetas dhe 1652 automjete , si dhe kanë dalë 20 562 shtetas dhe 5 734 automjete.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës fton cilindo që evidenton apo has në shpërdorim detyre nga punonjësit e policisë, të telefonojnë në numrat pa pagësë 129 e 0800 90 90, duke ju siguruar një reagim të shpejtë e të paanshëm.