Ambasadori i Çekisë në zyrën e Mziut: Mbështetje projekteve emergjente të Bashkisë Kamëz për parandalimin e përmbytjeve

Kryebashkiaku Xhelal Mziu priti në një takim pune në ambientet e zyrës së tij ambasadorin e Republikës së Çekisë, akredituar në Shqipëri, Jaroslav Ludva. Në takim u diskutua për mbështetjen që Bashkia Kamëz mori nga ambasadori në kuadrin e bashkëpunimit institucional për situatën e përmbytjeve, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit pranë bashkisë.

Pasi bëri një rezume të përgjithshme për situatën e përmbytjeve në territorin e Kamzës, kryebashkiaku Mziu e informoi ambasadorin çek për punën e bërë nga Bashkia në investimet e vazhdueshme në infrastrukturë, sidomos në investime që kanë të bëjnë kryesisht me mbrojtjen ndaj përmbytjeve, sidomos në pika kritike të territorit. Edhe pse Bashkia ka bërë investime të shumta në këtë drejtim, ku edhe gjatë reshjeve të fundit që shkaktuan përmbytje të mëdha, Bashkia Kamëz në mënyrë emergjente investoi rreth 300-400 milionë lekë të reja për t’i ardhur në ndihmë familjeve që pësuan përmbytje të rënda.  

Janë dërguar 140 projekte për financim, por qeveria shqiptare nuk ka financuar asnjë prej tyre. Të tilla diskriminime kanë ndodhur në vazhdimësi si në financim të shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave sociale, edhe në infrastrukturë Bashkia Kamëz është e vetmja njësi e qeverisjes vendore që nuk është mbështetur për asnjë moment kjo qeveri.

Të ndodhur përpara këtyre fakteve, kryebashkiaku Mziu kërkoi nga ana e ambasadorit të Republikës Çeke të akredituar në vendin tonë të mbështesë me financime projektet tashmë të gatshme nga ana e Bashkisë Kamëz. Ambasadori i Republikës Çeke siguroi mbështetjen e plotë të financimit të projekteve emergjente që ka Bashkia Kamëz për parandalimin e përmbytjeve në këtë zonë.

Gjithashtu në diskutimin e tij kryebashkiaku Mziu e ftoi ambasadorin për të bërë të mundur sjelljen e biznesmenëve çekë në Kamëz për të sjellë pjesë të investimit të tyre, pasi Kamza ka një pozicion gjeografik mjaft të favorshëm për bizneset, duke theksuar se Shqipëria është një vend mjaft tërheqës për turistët, sidomos ata çekë që çdo vit e më tepër janë të pranishëm në vendin tonë.  Kryebashkiaku Mziu e nderoi ambasadorin çek,Jaroslav Ludva, me certifikatën “Mirënjohja e Qytetit” për iniciativën dhe kontributin e ndërmarrë në ndihmë të Bashkisë dhe banorëve të Kamzës gjatë situatës së përmbytjeve, si dhe vazhdimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe zhvilluese në dobi të qytetarëve dhe qytetit.