Mediu në Syri.net: Nga drejtësia e korruptuar, Rama prodhoi gjyqësorin e kapur...

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha në studion e Syri.net se plani i Edi Ramës është i qartë: përmes frikës dhe varfërisë, presioneve dhe kapjes së drejtësisë të mbajë qeverisjen e vendit.

“Edi Rama u përpoq të zhvlerësonte çdo gjë që ishte bërë deri në ditën që ai mori pushtetin dhe premtoi se do të bënte shtetin e tij. E nisi me sulmet ndaj gjyqësorit, me qëllim që t’a vendosë atë në këmbët e tij, ti shërbejë PS. Pra nga një gjyqësor i korruptuar sot përballemi me atë që mund të kemi një gjyqësor të kapur.  Rama miratoi paketën e ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën me qëllim që t’i shërbejë devijimit të procesit dhe kapjes së drejtësisë. Rama u ka cënuar liritë, ka shkatërruar institucionin e parlamentit dhe i ka dhënë vetes që të ketë vetëm një institucion të vlefshëm, atë të vetes së tij”, tha Mediu.

Në vijim ai shtoi se sot shqiptarët largohen nga vendi për shkak se nuk shohin shpresë dhe të ardhme, ndërsa kemi një shoqëri më apatike dhe më pak reaguese. Në këtë drejtim, sipas tij ka përgjegjësi edhe opozita, përsa i takon besueshmërisë së saj për të rikthyer shpresën.