Mediu në Syri.net: Basha të veprojë si Berisha në 2005-ën, ja si kthehet e djathta në pushtet...

Kreu republikan Fatmir Mediu i ftuar në studion e Syri.net i ka sugjeruar kreut demokrat Lulzim Basha që të vlerësojë historitë më pozitive të opozitës.

Duke iu referuar kohës kur PD ishte në opozitë 2001-2005, Mediu tha se në atë kohë kishte një tjetër aksion opozitar, qoftë në argumentimin e manipulimit zgjedhor në raport me ndërkombëtarët, ashtu edhe në organizimin e brendshëm.

“Që e djathta të jetë fituese duhet të përfshihen të gjitha kapacitetet opozitare që nga 1990. Ju kujtoj KOP-in në 2005 që bëri zoti Berisha, i cili thirri të gjithë gamën e njerëzve që duheshin përfshirë jo vetëm në procesin zgjedhor, por e dhe qeverisës të vendit. Nëse një gjë të tillë e bëri Berisha, atëherë edhe zoti Basha duhet ta bëjë për një qëllim të mirë. Historitë pozitive të opozitës duhen vlerësuar. Kur kemi qenë më të unifikuar, më të përcaktuar, qoftë edhe në hapjen politike, ne kemi qenë fitues”, tha Mediu. Sipas tij, në atë kohë ne si opozitë thirrëm të gjithë resurset njerëzore që kishim, pra bëmë një inventar të të gjithë kontribuuesve,  i thirrëm, i bëmë pjesë të takimeve, u kthyem në zërin e qytetarëve.

“Në 4 vitet e shkuara jemi përpjekur të kemi një forcë opozitare,por  lamë mbrapa një angazhim më serioz, detajimin e strukturës elektorale. Loja e PS për të sabotuar reformën zgjedhore, mendoj se pati një ndikim negativ në rezultatin e zgjedhjeve. Ne ecëm në nivelin politik, por lamë mënjanë detajet, bëmë lojën e madhe por harruam të voglën”, tha Mediu.

Referuar mënyrës sesi funksionimit sot të opozitës, kreu republikan tha se është mëse normale që përpara se të merret një vendim për frontin opozitar duhet të ketë një konsultim mes partive që dolën bashkë në zgjedhje, pastaj le të kalojmë në vendimmarrje.

“Nuk ka munguar predispozicioni ynë për të bashkëpunuar me LSI-në, por ajo që them unë është që më përpara të bëjmë llogaritë brenda pragut, pastaj jashtë pragut.

Ne i qëndruam konseguent marrëdhënies me PD dhe këtë kërkojmë edhe sot. LSI është opozitë, por koalicioni opozitar i djathtë dihet se kush është”, shtoi ai.