Interi ‘bojkotohet’ nga kinezët për merkaton e janarit

Ndonëse i bëri një start perfekt sezonit, Interi i Spallettit u zhyt në krizë në muajin dhjetor dhe tani nuk fiton prej 5 ndeshjesh radhazi në kampionat.

Nga vendi i parë që mbante më 3 dhjetor, skuadra e Spallettit ka përfunduar në të 3-tin dhe plot 9 pikë larg kryesuesve, Napolit.

Sytë e stafit teknik, por edhe tifozëve janë nga merkatoja e janarit, por duket se një lajm i keq ka ardhur nga Kina, ku drejtori sportiv Valter Sabatini kishte shkuar për të kërkuar buxhet për afrime.

Pronari kinez i klubit, Zhang Jindong, ka refuzuar sponsorizimin e merkatos së janarit, duke i theksuar edhe njëherë drejtuesve të bazohen te autofinancimi.

Kjo do të thotë se Ausilio nuk do të mund të blejë asnjë futbollist me peshë, nëse më parë nuk shet dhe se merkatoja e janarit do të përqendrohet tek emrat me kosto të ulët.

Kështu pas Bastonit, zikaltrit kanë nisur kontaktet edhe me mbrojtësin portugez Rolando, kontrata e të cilit me Olympic Marseille skadon këto ditë dhe mund të vijë pa shpenzuar asnjë cent.

Sa i përket repartit të avancuar, shpresa e vetme është Deulofeu i Barcelonës, gjithmonë nëse katalanët do të pranojnë formulën e huazimit me të drejtë blerjeje.