Mediu në Syri.net: Shkarkimi i Çakos? Problemi është te ai që mbrojti kanabizimin dhe trafikun e drogës

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në studion e Syri.net, tha se shkarkimi i Haki Çakos nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është një diskutim që ka kohë që flitet.

Mediu tha se nga të gjitha përfshirjet e funksionarëve të policisë në trafikun e drogës, Haki Çako është një nga përgjegjësit, por unë mendoj se problemi qëndron te ai që i ka mbrojtur këto persona, qoftë edhe ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.

“Pra ose kemi një kryeministër që nuk e di punën e tij, ose ka qenë në dijeni të gjithçkaje dhe kanabizimi i vendit është bërë me dijeninë e tij. Në të dyja rastet ai duhet të mbajë përgjegjësi. Trafiku i drogës nuk mbeti një problem i izoluar në Shqipëri, por u kthye në problem për Europën, veçanërisht për Italinë”, tha Mediu.

Sipas tij, mënyrën sesi është mbjellë kanabisi dhe kush e mbronte atë, e dinë më mirë ato fshatarët sesa ambasadorët.

“Përgjegjësia e Ambasadorëve është përpara vendit të tyre dhe jo a folën apo nuk folën në lidhje me kanabisin në Shqipëri”, tha Mediu.

Në vijim kreu republikan theksoi se përgjegjësia është morale dhe politike dhe më pas edhe ligjore nëse ka fakte. “Pjesa e përgjegjësisë e Haki Çakos është diskutuar, pasi drejtuesit e policisë janë promovuar me firmën e tij, pra ai ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë”, tha Mediu, duke shtuar se të gjitha shqetësimet e opozitës në lidhje me kanabizimin e vendit sot përfshihen në raportet ndërkombëtare të të gjitha institucioneve.