Zambia, qeveria masa kundër epidemisë së kolerës

Ministri i Shëndetësisë, Chitalu Chilufya, deklaroi se kolera është duke u përhapur shpejtë nëpër kryeqytet, për shkak se njerëzit lirshëm dhe fshehurazi tregtojnë mallra të ndaluara

Me qëllim që të përballojë epideminë e kolerës, Qeveria e Zambias ka imponuar masa për mbikëqyrje dhe disa kufizime të tjera në kryeqytetin Lusaka, raporton (AA).

Ministri i Shëndetësisë, Chitalu Chilufya, dje deklaroi se kolera është duke u përhapur shpejtë nëpër kryeqytet, për shkak se njerëzit lirshëm dhe fshehurazi tregtojnë mallra të ndaluara.

“Qeveria ka deklaruar një mbikëqyrje në pikat e nxehta të kolerës si masë për të ndaluar njerëzit që fshehurazi të shesin ushqime të freskëta, duke përfshirë perimet dhe mishin, gjatë natës”, tha Chilufya.

Ai shtoi se nën mbikëqyrje, njerëzit do të duhet të qëndrojnë brenda, ndërsa baret dhe klubet e natës do të kenë orë të kufizuara.

Që nga shpërthimi i kolerës që u njoftua në tetorin e kaluar, mbi 2.300 raste dhe 63 vdekje janë raportuar në mbarë vendin. Vetëm në Lusaka janë regjistruar 2.090 raste të kolerës dhe 52 vdekje.

Të shtunën, Provinca Lindore e Zambias njoftoi se në tubimet e mëdha, duke përfshirë dasma, koncerte dhe funerale, do të kërkohet leje qeveritare për shkak të 13 rasteve të kolerës dhe një vdekjeje.