Punësimi në SHBA, tregu i afrohet punësimit të plotë

Punësimi në Shtetet e Bashkuara është ngadalësuar më shumë se ç’pritej gjatë dhjetorit, megjithatë rritja e pagave tregon për një fuqizim të tregut të punës, që mund të bindë Rezervën Federale për të rritur normën e interesit në muajin Mars.  Punësimi u rrit me 148 mijë persona muajin e kaluar, pas një rritjeje me 252 mijë në nëntor, raporton Departamenti i Punës.

Norma e papunësisë mbeti e pandryshuar në nivelin më të ulët në 17 vite, në 4.1%.  Ekonomia amerikane duhet të krijojë 75,000 – 100,000 vende pune në muaj për të ruajtur rritjen në popullsinë në moshë pune.

Rritja e punësimit mori vrull në tetor dhe nëntor, pas ngecjes në muajin shtator si pasojë e uraganëve, njofton scan.tv. Të ardhurat mesatare për orë u rritën me 9 cent, apo 0.3% në Dhjetor, pas një rritjeje me 0.1% në muajin e kaluar.

Kjo e çoi normën vjetore të rritjes në 2.5%, nga 2.4% që ishte në Nëntor. Rritja e punësimit në SHBA po ngadalësohet ndërkohë që tregu arrin punësimin e plotë, megjithatë mund të marrë një nxitje të përkohshme nga paketa e uljeve tatimore prej 1.5 trilionë dollarë të kaluar nga kongresi republikan.

Për të gjithë 2017-ën, ekonomia krijoi 2.1 milionë vende pune, poshtë 2.2 milionë që u regjistrua në vitin 2016. 2017-a shënoi vitin e 7 radhazi që ekonomia gjeneron më shumë se 2 milionë vende pune.