BSH: Sistemi bankar fitoi 150 mln euro vitin e kaluar

Bankat shqiptare fituan mbi 150 milionë euro për 11 mujorin e vitit 2017. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të sistemit bankar arritën nivele rekord vitin e kaluar duke u trefishuar krahasuar me vitin 2016.

Sipas statistikave të detajuara, fitimet e bankave janë rritur për shkak të rënies dramatike të shpenzimeve që ato bëjnë për provigjonimin e kredive të këqija. Rënia e kredive me probleme, ka ulur shpenzimet që bankat duhet të bëjnë për mbulimin e humbjeve që burojnë nga kreditë e këqija.

Më konkretisht, sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për provigjone u ulën nga 100 milionë euro që ishin në nëntëmujorin e parë të 2016-ës, në rreth 10 milionë euro për të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas.

Kredia në ngërç

Bankat ja kanë dalë të realizojnë fitime të majme, edhe pse praktikisht kanë stopuar kredinë për ekonominë. Sipas të dhënave zyrtare për 11 mujorin e 2017-ës, stoku I kredisë rezultoi saktësisht në të njëjtin nivel me nëntorin e 2016-ës, rreth 4.1 miliardë euro. 

Sistemi bankar vazhdon të arkëtojë interesa të larta nga kreditë e dhëna në të kaluarën, ndërkohë që interesat që paguan për depozita kanë rënë në nivele thuajse të papërfillshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë për periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, bankat arkëtuan 300 milionë euro nga interesat e kredive që kanë dhënë për qytetarët dhe biznesin, ndërkohë që paguan vetëm 50 milionë euro interesa për depozitat.

Sektori bankar arriti të dalë me fitim thuajse në të gjitha vitet e krizës ekonomike, edhe gjatë përiudhës që u përball me rritjen e shpejtë të kredive më probleme. Shumë ekpertë thonë se tregu bankar është i ngurtë, pavarësisht numrit të lartë të bankave.

Bankat u paguajnë qytetarëve interesa minimale për depozitat, ndërkohë që marrin interesa dukshëm më të larta për kreditë që japin.