'Goditja' e fundit e Flamurtarit: Ëndërroj të luaj me Shqipërinë

Blerja më e re e Flamurtarit, Fisnik Zuka, ka firmosur me vlonjatët. Mbrojtësi kaloi këtë merkato janari nga ekipi i Shkupit në Maqedoni, nën urdhrat e Shpëtim Duros. Në një intervistë për gazetën Lajm, ai shprehet i lumtur që luan pikërisht për Flamurtarin, dhe shpreson gjithashtu të luajë një ditë edhe për Shqipërinë.

Si ndodhi të shkoni te Flamurtari?
Po, menaxheri im Ismet Hasani që jeton në Gjermani ka qenë në kontakte me drejtuesit e Flamurtarit. Pas bisedimeve mes dy palëve ka ardhur deri te akordi që unë të transferohem këtu në Vlorë. Besoj se kam bërë një zgjedhje të mirë në zhvillimin e karrierës sime si profesionistë.
Keni nisur me përgatitjet dimërore?
Ditën e hënë udhëtojmë për në Antalia, ku do të zhvillojmë fazën më të rëndësishme përgatitore. Atje janë paraparë të zhvillohen edhe ndeshje miqësore. Shpresoj se do të përgatitemi mirë dhe të gatshëm ta presim fillimin e sezonit pranveror.

Te Flamurtari keni gjetur shumë lojtarë nga Maqedonia ose që kanë luajtur në kampionatin e Maqedonisë. Me shumicën njihesh dhe besoj se të kanë ndihmuar që të ambientoheni. Si jeni pritur nga drejtues të klubit?
Shumë e vërtetë. Që nga dita e parë e kam pasur të lehtë adaptimin. Të gjithë më kanë mirëpritur si:Pollozhani, Useini, Siljanovski, pastaj edhe prurjet e reja:Gafuri, Muaremi dhe Nedelkovic. Me të gjithë po shoqërohem, por më shumë me Muarem Muaremin. E falënderoj edhe stafin drejtues e teknik për ngrohtësinë që po ma afrojnë.

Sa e njihni kampionatin shqiptarë të futbollit?
Po atë që kam lexuar dhe parë në ekranet televizive, dicka më shumë jo. Mirëpo, sa jam në dijeni, them se bëhet fjalë për kampionat cilësorë, ku rivaliteti është shumë i madh.
Çka po të pëlqen më shumë në Vlorë?
 Stadiumi është i mirë, ndërsa për qytetin mos të flasim. E dini se Vlora është qytet historik, Këtu është ngritur flamuri kombëtar dhe është shpallur pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemali.

Flamurtari sezonin vjeshtor e ka mbyllur në vendin e dytë. Çfarë objektivash ka skuadra?
Synimet e Flamurtarit dihen-dalja në Europë. Mirëpo, nëse na jepet rasti përse mos ta fitojmë edhe titullin kampion. Sapo kam marrë vesh Flamurtari është edhe në garë për kupën e Shqipërisë. Shpresojmë.

Çka ju premtoni tifozëve të Flamurtarit?
Ju premtoj se do të jap maksimumin që klubi të arrij synimet e veta.

Në Shqipëri do të jesh edhe më afër syve të trajnerit të Kombëtares, Cristiano Panucci. Sikur të ndodh ndonjë ofertë do ta pranoje?
Sikur të më jepej rasti me dëshirën më të madhe do të kisha luajtur për Shqipërinë. Është ëndërr e imja që të luaj për Shqipërinë. Është nder dhe krenari sikur të kisha veshur fanellën kuqezi.